Në ditën kur bizneset do të mbajnë një protestë, përmes së cilës kërkojnë kohë për të dalë në tregun e lirë energjetik, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka folur për këtë çështje, duke thënë se bizneset kanë pasur kohë të përgatiten për tregun e lirë energjetik.
“Na ndajnë pak ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për daljen në treg të hapur të energjisë elektrike të rreth 1,200 ndërmarrjeve në Kosovë. Këto përbëjnë rreth 1% të ndërmarrjeve në vendin tonë: ato më të mëdhatë e më të fuqishmet. Në mesin e tyre përfshihen edhe rreth 300 ndërmarrje që janë prodhuese, e të cilat si shpenzues të mëdhenj preken më shumë nga zbatimi i kësaj reforme”, tha Kurti.
Sipas tij, i mirëkuptojnë brengat e tyre në lidhje me sfidat e kësaj faze të tranzicionit, por është e rëndësishme të theksojmë se ky proces nuk është i befasishëm.
“Ligji për Energji Elektrike është miratuar që në vitin 2016. Faza e parë e liberalizimit ka filluar në vitin 2017 me daljen e tri ndërmarrjeve të mëdha në treg, ndërkaq faza e dytë është shtyrë disa herë në 8 vitet e fundit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë zbatuar këtë reformë vite më parë, e duke përfshirë një pjesë shumë më të madhe të bizneseve, ndërsa bizneset tona kanë përfituar ndërkohë nga tarifa të rregulluara dhe subvencione direkte të faturave të bizneseve në vlerë prej 26 milionë euro. Kësisoj, edhe pse sfida ekziston, bizneset tona kanë krijuar avantazh konkurrues e kanë pasur më shumë kohë se të tjerët për t’u përgatitur për ndikimin e daljes në treg’, tha ai.
Kurti tha se shtyrja nuk e zgjidh problemin. Ai ka kritikuar Odën Ekonomike për protestën e sotme.
“Koha e barrikadave ka kaluar. Nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrje apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë. 300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”, tha Kurti.
“I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë në mënyrë të mençur për efiçiencën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë bizneset që modernizohen dhe investojnë në efiçiencë të energjisë, në të mirë të tyre, të shtetit e të qytetarëve. Qeverinë e Republikës së Kosovës, mua si kryeministër, na kanë partner. Ne jemi të gatshëm e shumë të interesuar për dialog për zgjidhje”, tha Kurti.