Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot vizitoi Komunën e Kamenicës, ku u prit nga kryetari i kësaj komune Kadri Rahimaj dhe së bashku vizituan çerdhen “Filizat”, për të parë nga afër rezultatet e politikave të komunës për kujdesin ndaj fëmijëve dhe politikat për mbështetje ndaj nënave.
“Komuna e Kamenicës është e para në vend që ofron ushqim të shëndetshëm për fëmijë në çerdhet publike. Menyja e hartuar nga nutricistë, përfshin disa lloje të mishit të peshkut si salmon, levrek, orado, së bashku me fruta dhe perime të freskëta, thjerrëza/drithëra, si dhe lëngje të shtrydhura, duke garantuar ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar për fëmijët. Nën udhëheqjen e kryetarit Kadri Rahimaj, Komuna e Kamenicës gjithashtu ofron sigurim shëndetësor për fëmijët në çerdhe publike, duke mbuluar 100% të kostove për shërbime spitalore dhe 80% për shërbime ambulantive, dhe në shërbime si kujdesi dentar, optik, psikiatrik dhe kujdesi për dëgjim, me mbulim të shërbimeve në territorin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Tutje theksohet se këto masa kanë ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhen publike të Kamenicës, nga 70 dikur në 120 fëmijë të regjistruar aktualisht, me një listë pritjeje prej mbi 40 fëmijësh.
“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka filluar ndërtimin e dy çerdheve të reja: një në fshatin Koretin që pritet të përfundojë në shtator dhe tjetra në fshatin Roganë, ku punimet kanë nisur këtë vit. Për më tepër, Komuna e Kamenicës është komuna e parë që ofron pako për çdo fëmijë të porsalindur, në vlerë prej 300 euro me 84 artikuj të ndryshëm, në të cilën përfshihen rroba nga mosha 0 deri në 1 vjeç dhe produkte për kujdesin e nënës. Krahas shtesave të Qeverisë për nënat lehona dhe fëmijët, Komuna e Kamenicës mbështet nënat lehona me nga 200 euro për fëmijën e parë, 250 euro për fëmijën e dytë dhe 300 euro për fëmijën e tretë e tutje”, thuhet tutje në njoftimin e ekzekutivit.
Sipas kryetarit Rahimaj, këto politika janë vlerësuar dhe mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga prindërit e rinj të kësaj komune. Nga ana e tij, sipas njoftimit, kryeministri në detyrë vlerësoi angazhimin e Komunës së Kamenicës për krijimin dhe zbatimin e politikave shembullore për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve, si dhe për mbështetjen e prindërve, veçanërisht nënave.