Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI), ka miratuar një rezolutë, që sipas tij, denoncon zgjedhjet lokale të 11 majit në Shqipëri si një “farsë elektorale”.

 

Sipas Berishës, dokumenti i miratuar bazohet në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

“Farsa elektorale 11 Maj 2025 në Shqipëri mori një ndëshkim madhor ndërkombëtar nga organizata politike më e madhe në botë e partive të qendrës dhe qendrës së djathtë, Internacionalja Demokrate e Qendrës, e cila grupon së bashku 108 parti politike nga të gjithë kontinentet dhe që ka se sesion të saj në kontinentin evropian, Partinë Popullore Evropiane dhe partitë anëtare të saj.

Kjo organizatë botërore në konferencën e asamblesë të përgjithshme të saj, të mbledhur dy ditët e fundit në Abixhan, kryeqytetin e Bregut të Fildishtë, miratoi me unanimitet të plotë, pa asnjë kundërshtim, rezolutën për farsën elektorale të 11 Majit në Shqipëri.

Në këtë rezolutë, Internacionalja Demokrate e Qendrës denoncon botërisht atë që ndodhi me një 11 Maj në farsën e vendit tonë. Në denoncimin e saj, ajo bazohet mbi të gjitha në raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE, Parlamentit Europian dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, tha Berisha.

Ai e cilësoi këtë mbështetje si një “kushtrim për opozitën” për të vijuar betejën për të drejtën e votës së lirë.

“Në këtë forum botëror kanë gjetur mbështetje të plotë kërkesat e PD-së për qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Në këtë kuadër, në këtë kontekst, rezoluta është një frymëzim madhor për të gjithë shqiptarët që e konsiderojnë Edi Ramën një armik të egër, të papajtueshëm me votën e tyre, që e konsiderojnë votën e lirë, themelin e një sistemi demokratik dhe kushtin e të gjitha kushteve për të ardhmen e tyre.

Kjo rezolutë është një apel, një kushtrim për popullin opozitar për të luftuar dhe sakrifikuar, për të paguar çdo çmim për votën e lirë, duke i garantuar se në këtë betejë nuk janë vetëm, por janë së bashku me mbarë partitë e qendrës dhe qendrës së djathtë në Europë dhe në botë”, tha ai.