Debat i ashpër u zhvillua në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, lidhur me situatën me kompaninë regjionale të mbeturinave “Pastrimi”. Me gjithë diskutimet, Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë një shumë prej 300 mijë eurosh për ndërmarrjen “Pastrimi”. Ndërkohë, para objektit të Komunës po vazhdon greva e punëtorëve të kësaj kompanie.

 

Me akuza e kritika për politizim, pozita dhe opozita në Prishtinë ia kanë hedhur fajin njëra-tjetra për situatën në kompaninë regjionale të mbeturinave ‘Pastrimi’.

Në debatin e ashpër që u zhvillua në seancën e kuvendit komunal, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, i drejtuan akuzat nga PDK-ja, për çka kishte përgjigje asamblisti i kësaj partie, Leutrim Retkoceri.

drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka thënë se janë duke negociuar me punëtorët dhe janë përafruar shumë çështje.

“Ndërmarrje ‘Pastrimi’ atë kontratë veç ia kemi ofru 1.5 milion euro për pastrimin e hapësirave publike dhe është nënshkruar prej dy palëve. Tani po pritet që ata të jenë të gatshëm e të vijnë t’i marrin kamionët e të fillojnë me punën, se di a është në dijeninë e juaj”, tha Brestovci.

Asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri ka fajësuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim.

“Tendenca për me fajësuar poshtë e përpjetë njerëz, kur kompetenca ua jep të drejtën me menaxhu me qeverisje është qyqarllak i madh i juaji,  Leutrimi nuk ka dashtë me negociu tenderë qysh keni dashtë ju dy me negociu tenderë, për me vjedh. Krejt situatën e keni pru me negociu me operator privat”, tha Ratkoceri.

Për këtë ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Shpifja sipas qiftit të Leutrim Retkoceri, që s’dinë me fol asgjë tjetër përveç gënjeshtrave. Kështu që kërkoj publikisht që ju të kërkoni falje ose pason edhe një padi për shpifje ndaj jush”, tha ai

Zgjidhje për punëtorët e ‘Pastrimit’ dhe përgjegjësi kërkuan edhe partitë e tjera opozitare.

“Lute përfaqësuesin tonë me na pru një raport herën e ardhshme, ose qoni krimet ekomomike. 12 milionë euro janë marrë’, tha Bahri Gashi i AAK-së.

Për Gzim Mehmetin e AKR-së kriza zgjidhet bashkarishtë.

“Këtë krizë ne e zgjedhim së bashku, pa marrë parasysh përkatësisë politike, se ka të bëj me interesin e qytetarëve të Prishtinës dhe kjo është interesi jonë sepse nesër nuk na fal kush që nuk kemi qenë të aftë të menaxhojmë këtë situatë”, tha ai.

Kurse Endrit Zabërgja, i NismaSocialdemokrate theksoi se ‘Pastrimi’ ka dështuar ta pastroj kryeqytetin.

“Me keqardhje e them që ‘Pastrimi’ ka dështuar ta pastroj kryeqytetin tash e disa legjislatura, andaj nëse ka dështuar ne mund ti ofrojmë zgjidhje të tjera, si komunë mund edhe ta subvencionojmë mirëpo nuk mund ta lëmë Prishtinën tonë të dashur të jetë pre e një keqmenaxhimi i cili në çdo kohë mund të sjell një fatkeqësi natyrore, qytetare siç ka qenë situata e fundit në Prishtinë”, tha ai.

Ndërkohë, para Komunës së Prishtinës, punëtorët e Pastrimit po vazhdojnë grevën, për çka kanë paralajmëruar se nuk do ta ndërpresin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.