atsh
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë “Menaxhimi i integruar i burimeve ujore për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit”.
Konferenca ishte një bashkorganizim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) nëpërmjet Njësisë kërkimore “Burimet ujore”, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM).
Përveç akademikëve e lektorëve nga Shqipëria dhe Kosova, pati dhe lektorë të ftuar nga Austria dhe Polonia. Në fjalën hapëse, dr. Roza Allabashi, theksoi rëndësinë e kësaj platforme si një urë bashkëpunimi ndërshqiptar e ndërkombëtar për çështjet e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj theksoi sfidat e menaxhimit të burimeve ujore në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe nevojën për mbështetje të vazhdueshme institucionale.
Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi se zhvillimi i turizmit duhet të jetë i pandarë nga menaxhimi i integruar i burimeve ujore dhe se përmbushja e kërkesave të Kapitullit 27 të Acquis Communautaire i cili trajton mjedisin dhe ndryshimet klimatike, në kontekstin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, kërkon investime të mëdha dhe bashkëpunim ndërsektorial e ndërkufitar.
Ndërkohë, akad. asoc. Besnik Baraj vuri në dukje rolin kyç të komunitetit shkencor në përballimin e sfidave të menaxhimit të ujërave, veçanërisht në kushtet e presioneve nga ndotja, urbanizimi dhe ndryshimet klimatike. Baraj theksoi rëndësinë e përdorimit të informacionit shkencor për ndërtimin e politikave efektive dhe të qëndrueshme, si dhe rolin e edukimit për ndërgjegjësimin publik dhe forcimin e kapaciteteve vendimmarrëse.
Prof. Thomas Ertl, nga Austria, paraqiti risitë e Direktivës së re të BE-së për trajtimin e ujërave të zeza urbane (2025), e cila promovon një qasje të integruar dhe të qëndrueshme, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.
Gjatë dy ditëve të konferencës u zhvilluan pesë sesione shkencore që trajtuan çështje kyçe për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit. Temat u prezantuan në mënyrë ndërdisiplinore, duke përfshirë qasje nga shkencat natyrore, inxhinierike, mjedisore dhe sociale.
Konferenca e radhës do të mbahet në Prishtinë, në maj të vitit 2026.