Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në përpjekjen e 26-të.
Edhe sot dështoi formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Për ishin 53 deputetë dhe një votoi kundër.
Megjithatë, në këtë përpjekje ka pasur një dakordim. Deputetët janë pajtuar që seanca e ardhshme të mos mbahet të premten dhe të pushojnë për festën e Bajramit.
Pra përpjekja e 27-të do të mbahet të enjten në orën 11:00.
Bogujevci: Ka deputetë që do ta votonin Haxhiun me votim të fshehtë
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 26-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.
Deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka thënë se ka pasur deputetë që kanë shprehur gatishmëri për të votuar kandidaten e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo është shprehur para tentimit të 26-të të Kuvendit për konstituim se shpreson që Kushtetuesja të mos vonojë opinionin për çështjet e ngritura.
“Nëse duam të ecim përpara edhe të konstituojmë Kuvendin, deputetët duhet të votojnë si e përcakton Kushtetuta. Ne shpresojmë që s’merr shumë kohë të gjatë edhe opinioni i Kushtetueses. Por mendoj që janë të qarta rregullat me Kushtetutë dhe ligjet”, ka deklaruar ajo.
Qalaj i bënë thirrje partisë së parë që të reflektojë
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se PDK nuk i jep votë kandidates së propozuar nga LVV-ja për kryetare të Kuvendit, prandaj i ka bërë thirrje partisë së parë që të reflektojë.
“Presim që koalicioni që ka siguruar më shumë vota më parlament të reflektojë e të propozojë një kandidat tjetër në mënyrë që të marr edhe votat e PDK-së. Kemi thënë e po themi prapë që kandidatja e propozuar nuk kalon me votat e PDK-së. Është fatkeqësi për vendin, edhe për Kuvendin që koalicioni që ka fituar më së shumti vota të ngulë këmbë për një kandidatë që nuk merr përkrahjen e opozitës. Ne nuk kemi përmendur kurrë asnjë emër të përveçëm, përveç që kemi thënë se nuk votojmë deputetët që kanë qenë ministra në qeverisjen e kaluar”, ka theksuar ai.
Lushaku-Sadriu: Nuk ka shtet demokratik në botë që një deputet të ushtrojë edhe post në ekzekutiv
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku- Sadriu ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës i ndanë përgjegjësitë në bazë të peshës së votave e partia e parë duhet ta sigurojë shumicën e të gjejë formulën.
“Ne jemi përfaqësues të një grupi të qytetarëve në bazë t ë programeve që kemi prezantuar dhe kemi marr besim që të vijmë që ato ide t’i përfaqësojmë brenda Kuvendit. Edhe atëherë kur kemi refuzuar kemi dhënë opsionet tona. Kaq është fuqia jonë politike, kaq është edhe ndikimi ynë brenda Kuvendit. Krejt përgjegjësia i takon partisë së parë”, ka deklaruar para gazetarëve ajo.
Lushaku-Sadriu ka theksuar se nuk ka shtet demokratik në botë që një deputet të ushtrojë edhe post në ekzekutiv.
“Ky është element bazik i funksionimit demokratik, aq më tepër që kemi ligje që specifikojnë dorëheqjen e ekzekutivit kur bëhet betimi në Kuvend”, ka deklaruar ajo.
AAK-ja voton nëse LVV-ja e ndërron emrin e kandidates të propozuar
Deputeti Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se janë të gatshëm të votojnë sot nëse LVV-ja e ndërron emrin e kandidates të propozuar për kryetare të Kuvendit.
Ai ka thënë se AAK-ja ka propozuar dy emra për kryetar të Kuvendit para se të nominohej Albulena Haxhiu.
“Një njëri që i mban dy pozita, vjen si deputet dhe e mban rolin e kryeministrit, kjo është e jashtëligjshme”, ka thënë ai për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Limaj: Kosova së shpejti do t’i ketë institucionet
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare.
“Sido që të jetë vendi duhet me pas një shumicë parlamentare. Nisma e ka ofru një mundësi që ne besojmë me qenë të përgjegjshëm për faktin se vendet duhet me pas institucione. Partitë politike në fund të ditës japin përgjegjësi për vete”, ka deklaruar Limaj.
Sipas tij, Kosova shumë shpejt do të ketë institucionet e veta.
“Përkushtimi i të gjithëve besoj që është për të ndërtuar institucionet, dhe për këtë duhet të ndërtohet një shumicë parlamentare. Derisa nuk ka ndryshim të gjendjes sjellja jonë parlamentare mbetet e njëjtë”, ka deklaruar ai.
Hasani: VV-ja s’e meriton votën për shkak të mosmbështetjes në rastin e Speciales
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka thënë se nuk do ta mbështeste një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, kjo parti nuk është treguar korrekte ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Atje nuk është Hashimi. Atje është presidenti i vendit dhe ushtria e Kosovës. Ata që e përmbushin kërkesën për mbështetje, e kanë mbështetjen time”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se ka pasur kërkesa nga LVV-ja që ta mbështesë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por e ka refuzuar.