“Deti Adriatik u shndërrua sot në një skenë stërvitjeje ushtarake, ku dy anije patrullimi të Skuadronit të Sigurisë së Ekspeditës Detare të Marinës së SHBA-së shoqëruan anijet e Forcës Detare Shqiptare gjatë një operacioni të simuluar, si pjesë e stërvitjes së madhe ndërkombëtare DEFENDER 25”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Sipas njoftimit, operacioni përfshiu forcat shqiptare që zbritën me litar dhe hipën në një anije të Forcës Detare, në një skenar që simulonte operacione detare të avancuara dhe të koordinuara.

“Këto stërvitje janë thelbësore për të siguruar që Aleatët e NATO-s të mbeten të gatshëm për të përballuar sfidat e vërteta të sigurisë,” thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

Ndryshe, për herë të parë, Shqipëria angazhoi në këtë stërvitje dronët e saj pa pilot, apo siç njihen ndryshe dronët Bajraktar, të cilët siguruan pamje në kohë reale për Komandën e Brigadës në Zall-Herr.

Në thelb të demonstrimit ishte një incident i simuluar, ku forcat detare shqiptare dhe amerikane ndërhynë ndaj një anijeje të dyshuar që po largohej nga ujërat territoriale pa leje. Këto ndërhyrje u kryen nga ajri dhe deti, si dhe u monitoruan nga droni Bajraktar.