Kosova po përfaqësohet në ‘Expo Osaka 2025’, Kansai, Japoni, përmes një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional, ka thënë zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në detyrë, Liza Gashi.
Gashi, në një postim në Facebook, ka thënë se si udhëheqëse e Komisionit Ndërshtetëror për këtë projekt të menaxhuar nga Qeveria, ndjehet shumë e lumtur që për herë të dytë Kosova është pjesë e kësaj ngjarjeje botërore, e cila ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të prezantuar kulturën, trashëgiminë, si dhe potencialin ekonomik dhe zhvillimor që ofron vendi ynë.
“Pavijoni i Kosovës në Osaka është konceptuar si një hapësirë mikpritëse, ku vizitorët nga Japonia dhe nga mbarë bota do të kenë mundësi të njohin nga afër Kosovën. Gjatë muajve në vijim, pavijoni ynë do të ofrojë mundësi të shumta për promovimin e potencialit tonë dhe ndërtimin e një imazhi të denjë të vendit në atë pjesë të botës.
Veçanërisht gëzohemi që në Ditën Kombëtare të Kosovës në Expo, më 11 qershor, do të marrin pjesë Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, si dhe Filharmonia dhe Baleti i Kosovës, me një program dinjitoz artistik dhe kulturor”, ka shkruar Gsashi pos tjerash në Facebook.