Në njoftimin e tyre thuhet se Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtor të akuzuarin E.L., për shkak të veprave penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve duke i shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm.

“Në dënimin e shqiptuar me burgim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga data 16.04.2024, si dhe i është konfiskuar mjeti i kryerjes së veprës penale, pistoleta model “Zoraki 917-T”, me numër serik…, me karikator dhe 5 fishekë, të cilat do të shkatërrohen pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Kolegji gjykues, ka treguar Apeli , vlerëson se, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale,  si dhe vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka paraqitur arsye të qarta dhe të plota duke dhënë arsye të duhura se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara në këtë çështje penale, përkitazi me veprat penale të cilat i vihen në barrë të akuzuarit, e po ashtu ka paraqitur saktësinë e provave nga shkresat e lëndës, sikurse janë provat personale dhe ato materiale.

“Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale, pasi që ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale e po ashtu edhe ato materiale, e posaçërisht pranimin e fajësisë së të akuzuarit, për veprat penale të cilat i vihen në barrë, andaj kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vendosur kur të akuzuarin e ka shpallur fajtor, pasi që nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë të akuzuarin nga përgjegjësia penale si dhe ndjekja penale”.

Gjykata e Apelit ka thënë se duke i vlerësuar të gjitha rrethanat e përshkruara si në këtë aktgjykim, kolegji gjykues është i bindur se me dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm sikurse në dispozitiv të aktgjykimit, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 38 të KPK-së.