Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke thënë se ajo u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë
Presidentja Osmani ka theksuar se më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë. Sot, 147 vite më vonë, nderojmë me përulje veprën e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit dhe të gjithë patriotëve të tjerë që e mbajtën gjallë idealin e një kombi të lirë dhe të barabartë në mes kombeve të Evropës”, ka thënë Osmani, duke uruar për 147 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.