Me një orë vonesë sot po vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Zyrtari policor Mirsad Kryeziu, para trupit gjykues ka folur për sulmin terrorist të Banjskës.
“Isha i caktuar në detyrë në pikën statike në Izvor ku bënim kontrollimin dhe shikimin e kufirit. Funksioni im ka qenë udhëheqës i ekipit. Detyrat e mija i kam marrë në kampin ‘Belvedere’, ‘Enver Zymeri’. Gjatë sulmit mes datës 23 dhe 24 shtator dëmtimet e mija kanë qenë gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë heroit të Kosovës, për shkak të sulmeve që janë bërë nga grupi që ne jemi sulmuar atë kohë. Saktësisht dëmtime kam pasur në gju gjatë tërheqjes dhe normalisht edhe traumat psiqike. Pasi që kemi filluar punën, ishim te caktuar 24 ore në ditë, kemi marrë detyrat dhe jemi nis. Pajisjet tona kanë qenë pajisje policore. Vetura ishte normale jo e blinduar, jeleku antiplumb, jeleku taktik, armët që i përdorim si njësi e specializuar, armë të gjata dhe armë personale, revole. Ne kemi kryer ndërrimin në ora 2 të natës, gjatë kthimit për në bazën e Koshtovës të Vllahisë, posa kemi urë në fshatin Banjska, tek ura ku hyn në fshat dhe aty kemi vërejtur se janë të parkuar dy kamionë që bënin bllokimin e hyrjes në fshat dhe për një moment kemi njoftuar dhomën komanduese dhe kemi informuar se në urën e fshatit gjenden dy kamionë. Nga dhoma komanduese kemi marrë urdhër që të bëjmë ekzaminimin e kamionëve dhe te shohim se çfarë ka përreth. Unë personalisht kam bërë kontrollimin sipërfaqësor dhe gjatë atij kontrollimi kam vërejtur se kamioni që ishte më afër rrugës e kishte derën hapur ndërsa kamioni në brendësi te fshatit nuk e kishte, ishte i mbyllur dhe nuk kishin tabela të regjistrimit”, ka deklaruar polici Kryeziu në fillim të dëshmisë së tij si palë e dëmtuar.
Dëshmitari ka treguar se me shumë vështirësi ka arritur që ta fus në veturë rreshterin Bunjaku dhe janë nisur në drejtim të Mitrovicës.
“Gjatë kthimit, na kanë goditur në rrotën e parë të automjetit një herë, nuk jam ndalur, pastaj edhe një herë dhe goma ka dalë nga vendi. Kam vazhduar deri te policët ku ishin ndalë më herët, kam komunikuar me Elezin dhe i kam thënë ti vazhdo unë do mundohem që të kthehem. Në atë moment kam vërejtur dritën e kaltër të Policisë, dhe kanë ardhur me mjete të blinduara. Ju kam tregu se një prej nesh është i plagosur rëndë dhe e kam në veturë, ndërsa një tjetër është i plagosur dhe ka mbetur aty”, tha ai, raporton RTKlive.
Kryeziu tha se me të hyrë në spitalin e Mitrovicës, mjekët e njoftuan se Afrimi tashmë ka ndërruar jetë.
Ndryshe Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, nga 45 të akuzuarit sa janë gjithsej për këtë sulm terrorist në krye me kriminelin Milan Radojiçiq, akuzohen për kryerje të veprave terroriste, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Përveç tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar nga drejtësia kosovare, 42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.
Më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Milan Radoiiciq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Ata janë në kërkim të INTERPOLIT e presion ndaj Serbisë, që ajo t’ia dorëzojë Milan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë drejtësisë së Republikës së Kosovës është bërë edhe nga ndërkombëtarët.
Seancat për rastin “Banjska” mbahen sot dhe më 12 qershor.