Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit të 30 për tu konstituar Kuvendi i Kosovës në mungesë kuorumi, i quajti 30 shfaqje të papërgjegjësisë së skajshme.
“30 tentime për të uzurpuar vullnetin e qytetarëve e për ta mbajtur peng në funksion të përmbushjes së ambicieve e imponimeve të një partie e cila për herë të parë në historinë e Kosovës nuk ka shumicë parlamentare ndërsa kërkon t’ua imponojë vullnetin të zgjedhurve të popullit’, deklaroi ai.
Krasniqi tha se vendi është bërë me shumë mund, sakrificë e përkushtim e më e pakta që do të duhej që politikanët e sotëm, sipas tij, sidomos ata që marrin përgjegjësi, siç është rasti me Kurtin e partinë që e udhëheqë, tha se do të duhej që në nderim të kësaj sakrifice të ishin të përgjegjshëm.
“Ne si PDK e ri-shprehim qëndrimin tonë, jemi të gatshëm për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize duke mundësuar votimin e një kandidati apo një kandidateje që i merr shumicën e votave”, shtoi ai.
Foli edhe për propozimin për ‘qeveri të unitetit’. “Propozimi për një qeveri të unitetit nënkupton që duhet të jemi të gjithë bashkë, në momentin që njëri thotë jo atëherë automatikisht nuk kemi çka diskutojmë, sepse nuk janë palët që nevojiten për të materializuar një gjë të tillë”.
Krasniqi ka shprehur keqardhjen dhe indinjatën për ndalimin e ish- policit kosovar nga Serbia.
“Shpreh indinjatën për ndalimin arbitrar e të padrejtë për ish-policin e Kosovës, Arbnor Spahiu që po mbahet nga regjimi serb në mënyrë të padrejtë, por më shumë shpreh pakënaqësinë me mos reagimin institucional, me mos reagimin e Qeverisë së Kosovës e cila ende asnjë falë të vetme nuk e ka thënë për ndalimin jo vetëm të një qytetari që do të duhej për të një shërbyesi të Kosovës, një prej anëtarëve të forcave speciale të policisë të cilat kur u duhen i ngritin në qiell e tash nuk e thonë asnjë fjalë së paku për të ngushëlluar familjarët e tyre”, tha Krasniqi para gazetarëve.