Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për afatet e të gjitha aktiviteteve zgjedhore dhe që i takojnë Zgjedhjeve Lokale të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Me anë të këtij vendimi, KQZ ka caktuar kohën e saktë të fillimit dhe të mbarimit të një aktiviteti zgjedhor në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Partitë politike kanë afat deri më 23 qershor për t’i deklaruar koalicionet e tyre për zgjedhjet lokale.
Po ashtu deri në po të njëjtën datë duhet të deklarohen partitë që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje.
Nga 26 qershori deri më 13 gusht partitë politike e kanë afatin për certifikim dhe dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve.
Me 3 ose 4 shtator është planifikuar të hedhet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.
Ndërkohë, fushata zgjedhore që do të zgjasë një muaj do të fillojë nga 13 shtatori deri më 12 tetor, në ora 06: 59 minuta, një minutë para se të hapen Qendrat e Votimit në vend.
Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të nisë më 23 korrik e do të zgjasë deri më 29 gusht.
Periudha e votimit përmes postës do të nisë më 17 shtator e do të zgjasë deri më 11 tetor.
Në tabelë shihen të gjitha afatet për të cilat vendosi KQZ-ja.