Në një postim në Facebook, Maqedonci e cilësoi këtë takim si hapje të një “kapitulli të ri të marrëdhënieve për mbrojtje dhe siguri” ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

“Në këtë periudhë sfiduese për paqen e sigurinë rajonale e ndërkombëtare, me miqtë tanë diskutuam për prioritetet e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendeve tona për periudhën në vijim”, shkroi ministri.

Së bashku me Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, delegacioni nga Kosova ritheksoi zotimin për përmbylljen e fazës së tretë të Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.

Një ndër temat kryesore të takimit ishte edhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë, përmes programeve dhe projekteve të përbashkëta me ShBA-në. Maqedonci tha se për këtë “u dakorduam mbi parimet e këtij bashkëpunimi”.

Ai theksoi se “Republika e Kosovës i vlerëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin kryesor strategjik në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit tonë”.