Festivali i Këngës i Radio Televizionit të Kosovës ka hapur garën për këngët pjesëmarrje për edicionin e tretë të ngjarjes.
Në thirrjen e publikuar, ftohen këngëtarë, kompozitorë, tekstshkrues nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora që të bëhen pjesë e ‘FEST 3’.
Krijuesit e veprave muzikore mund t’i dorëzojnë këngët pjesëmarrëse përmes web faqes zyrtare të RTK-së, www.rtklive.com duke plotësuar formularin e aplikimit pasi të shtypni butonin APLIKO dhe ngarkuar veprën muzikore në formatin wav.
Aplikimi do të mbetet i hapur deri më 31 gusht 2025, në orën 23:59.
Vitin e kaluar fituesi i edicionit të dytë ka qenë Endrit Krasniqi, i cili mori trofeun “Diamanti blu” me këngën “Flas me gjethen”. Kënga është me tekst dhe kompozim të Bekim Këpuskës. Këngëtari fitues, në një intervistë dhënë për RTK-në pati dhënë se kjo këngë shpërfaq fuqinë e gruas, specifikisht e një nëne e cila jeton prindërimin në moshë të hershme.
Ndërkaq në edicionin e parë “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” kishte qenë fituesi i ngjarjes kur ishte organizuar për të parën herë. Ai kishte fituar trofeun me simbolin e Kosovës që shkëlqen si dhe medaljoni me shqiponjën e flamurit kombëtar. I njëjti artistë ka marrë edhe Çmimin e Kryeqytetit.
Gjatë dy viteve, Festivali i Këngës dha spektakël përtej garës muzikore, duke sjellë performanca nga këngëtarë, moderatorë, shkrimtarë e figura të shquara në skenë të ngjarjes.