Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e diplomimit të 450 studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, theksoi rëndësinë e përfundimit të studimeve si një moment kyç në jetën akademike dhe profesionale të studentëve, duke inkurajuar ata që të jenë krenarë për arritjet e tyre.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte folës kyç në ceremoninë e diplomimit të 450 studentëve të gjeneratës së vitit 2025 të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e këtij momenti për të gjithë studentët.
“E njoh ndjenjën e finalizimit të një pune të madhe, sidomos diplomimi i cili shtron rrugën e jetës si asnjë proces e projekt tjetër. Pavarësisht nëse kjo është diploma e parë apo e fundit që e merrni, para jush keni një të ardhme dinjitoze”, tha Kurti.
Ai vlerësoi edhe aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në universitet, duke përmendur panairin e punës dhe karrierës, promovimin e botimeve të reja, si dhe shfaqjen e “Tartufit” nga studentët e Fakultetit të Filologjikut. Sipas tij, njohuria dhe avancimi më së miri realizohen në mënyrë ndërdisiplinare, ku shkenca dhe arti bashkëpunojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën.
“Të jeni krenarë për emrin e Universitetit tuaj dhe ta gëzoni diplomën nga ky Universitet. Suksese të gjithëve! E ju faleminderit nga zemra për ftesën, mikpritjen dhe vëmendjen,” përfundoi kryeministri Kurti.
Nga 23 programe studimi në gjashtë fakultete të ndryshme, me mbi 4,000 studentë aktivë, 450 prej tyre morën sot diplomën, duke hapur një kapitull të ri në jetën e tyre profesionale dhe personale.