Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Verbovc të komunës së Kllokotit, mëngjesin e sotëm.
Lajmin e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili tha se rasti është raportuar rreth orës 11:08.
“Njësitet policore, së bashku me ekipin mjekësor, kanë dalë në vendin e ngjarjes ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se personi mashkull kosovar, i lindur në vitin 1977, është pa shenja jete,” tha Osmani.
Sipas tij, gjatë hetimeve preliminare të zhvilluara nga hetuesit policorë në vendin e ngjarjes dhe në praninë e mjekësisë ligjore, nuk janë vërejtur shenja dhune apo lëndime në trupin e të ndjerit.
Familjarë të viktimës kanë deklaruar se ai kishte jetuar i vetëm dhe kishte probleme të njohura shëndetësore.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkaktarit të vdekjes.
Hetuesit policorë nga njësiti i hetimeve rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, po vazhdojnë procedurat hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit.