Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me komunat e Mitrovicës së Jugut e Veriut.
Aliu me Erden Atiqin që udhëheqë Mitrovicën e Veriut dhe Arian Tahirin që është i dyti në udhëheqje në Mitrovicën e Jugut vendosën firmat në këtë marrëveshje për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.
“Bashkë me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe nënkryetarin e Mitrovicës, Arian Tahiri, në prani edhe të kryesuesit të Bordit të Mitrovicës, Elbert Krasniqi nënshkruam Memorandum për mbështetje në projekte infrastrukturore mes MMPHI-së dhe të dy komunave; për një qytet më të lidhur, më funksional dhe më të jetueshëm për të gjithë banorët. Memorandumin e filluam me nënshkrimin e projektit të përbashkët të ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, projekte këto që do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe do shërbejnë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dy anët”, ka shkruar ministri në detyrë, Aliu.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasiqi që njëherësh është edhe kryesues i Bordit të Përbashkët të Mitrovicës, ka thënë të jetë i lumtur për projektet e para në të mirë të dy komunave.
Krasniqi, ishte emëruar në këtë pozitë më 11 qershor nga kreu në detyrë i qeverisë, Albin Kurti, ndërsa vetëm një ditë pas, më 12 qershor ishte mbajtur takimi i këtij bordi, në objektin e Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, në Mitrovicë të Veriut.