Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim shefin e OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, i cili në krye të kësaj organizate erdhi në fillimin e majit të këtij viti.
“Sot, e prita në takim në zyrën e Aleancës, me ç’rast i urova mirëseardhjen dhe njëkohësisht shumë suksese në detyrën e tij të re. Misioni i OSBE-së në Kosovë në vazhdimësi ka nxitur dhe mbështetur institucionet e vendit në avancimin e demokracisë, promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Në këtë frymë, ishte edhe bashkëbisedimi jonë sot, me ç’rast Ambasadorit McGurk i kërkova mbështetjen e tij për vendin tonë, e po ashtu e sigurova edhe për bashkëpunimin tim dhe të Aleancës me misionin që ai e drejton”, shkroi Haradinaj për takimin.
Ambasadori Gerard McGurk, diplomat karriere në Shërbimin Diplomatik Britanik, i emëruar si shef i OSBE-së në Kosovësipas përshkrimit që i ka bërë organizata në Prishtinë, ka përvoja diplomatike që përfshinë angazhim të gjerë në menaxhim të krizave, marrëdhënie ndërkombëtare bilaterale dhe multilaterale në rajone të ndryshme, nga Madridi, Amani, në Shkup e Kombe të Bashkuara në Nju Jork.
Ambasadori McGurk ka qenë pjesë e Ekipit të Qeverisë Britanike për Statusin Final në kuadër të punës së të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari në vitet 2005-2007.