“Paralajmërimi i fundit nga KESCO, se konsumi i brendshëm i energjisë do të mbulohet tërësisht nga importi, është tregues alarmues i gjendjes në sektorin energjetik të vendit dhe pasojë e qartë e dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike”, ka shkruar Krasniqi.

Në një postim në rrjete sociale, Krasniqi ka ngritur shqetësimin se, ndonëse Kosova ka “rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor”, qytetarët po përballen me “çmime marramendëse të energjisë” dhe rrezik për “reduktime të furnizimit, pa asnjë transparencë”.

“Prej përfundimit të luftës nuk ka ndodhur që mos të ketë fare prodhim të energjisë nga KEK-u!”, ka theksuar ai.

Kryetari i PDK-së i ka drejtuar disa pyetje Qeverisë në detyrë:

“Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji?”

“Cilat janë arsyet e degradimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike?”

“A është kjo gjendje pasojë e sabotimit të qëllimshëm ndaj KEK-ut?”

“A kanë dorë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me energji për gjendjen aktuale?”

“Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë të rëndë?”

“Energjia është çështje e sigurisë kombëtare – dhe kjo krizë kërkon urgjentisht veprime, jo arsyetime” ka përfunduar Memli Krasniqi.