Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme mori pjesë në manifestimin e organizuar për të shënuar 25-vjetorin e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Kosovë dhe 100-vjetorin e saj në nivel global.
“Në fjalën e tij, kryeministri tha se partneriteti i tyre është i rrënjosur edhe në vlera të përbashkëta si demokracia, drejtësia sociale, solidariteti dhe paqja. Në këtë përvjetor kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj FES edhe në mbështetjen mbi draftimin e ligjit për Fondin Sovran në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe institucionet tona”, njofton qeveria.
Në njoftim thuhet se Kurti e ka falënderuar drejtorin Peter Hurrelbrink për përkushtimin e tij dhe avancimin e kulturës demokratike dhe fuqizimin e zërave të rinj, ndërsa, në anën tjetër i uroi mirëseardhje në krye të fondacionit drejtoreshës së re Katharina Hofmann, në një kohë kur Kosova është më e përkushtuar se kurrë për të thelluar demokracinë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të ankoruar të ardhmen tonë në familjen evropiane.
Në fund, kryeministri i uroi të pranishmit për 25-vjetorin e FES duke treguar se këto 25 vite të partneritetit janë ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë, të mbështetura nga vlera të përbashkëta dhe të përkushtuara për një shoqëri më të drejtë dhe të begatë.
“Si socialdemokrat, besoj fuqimisht se politika duhet të udhëhiqet nga vlerat – jo nga frika apo nga oportunizmi, por nga një angazhim i thellë për drejtësi, pjesëmarrje dhe dinjitet njerëzor. Këto parime nuk janë vetëm themelore për Kosovën – ato janë gurthemeli i bashkëpunimit tonë me Friedrich-Ebert-Stiftung”, tha kryeministri.