Partia Demokratike e Kosovës po mban Konventën e Përgjithshme, të njëmbëdhjetën me radhë, ku do të zgjidhet kryetari partisë dhe kryesia e re.
Kryetari i Partisë Demokatike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se po e mban vendin peng, e cila ndonëse ka dalë e para në zgjedhje, ka humbur legjitimitetin për të qeverisur.
Gjatë fjalimit të mbajtur në Konventën e Përgjithshme të partisë, ai ritheksoi se PDK-ja nuk e voton asnjë kandidat për Kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar.
“Kemi qëndruar me dinjitet e konstruktivitet në këtë periudhë, duke e vendosur interesin qytetar dhe shtetëror mbi të gjitha. Kemi qenë të vendosur që të ndryshojmë kahjen e gabuar në të cilën e ka futur vendin Qeveria në ikje, përmes krijimit të Qeverisë së re me partitë e opozitës së kaluar, me Bedri Hamzën Kryeministër. Por, po aq me vendosmëri, e themi edhe sot: nuk do të votojmë asnjë kandidat për Kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, sepse besojmë që Kosova nuk mund të ecë përpara me ata që e kthyen mbrapa. Ne nuk jemi këtu për të ndihmuar riciklimin e kapitullit më të dështuar politik të shtetit tonë. Ne jemi këtu për të shkruar një kapitull të ri”, ka deklaruar ai.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i cili është i vetmi kandiat për kryetar i kësja parite, duke iu drejtuar delegatëve të pranishëm, ka thënë se kjo konventë është thirrje për të vazhduar rrugën e bashkimit dhe fuqizimit, ashtu siç i kaluan të gjitha sfidat nga shkuarja e Thaçit dhe Veselit në Hagë, dolën fitues të zgjedhjeve lokale në vitin 2021, dhe morën rreth 200 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit me Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.
“Ky mandat mbaroi, por puna jo. PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj për të vazhduar si Kryetar i juaji edhe në sfidat që i kemi përpara. Jo për pozitën, por për misionin. Jo për veten, por për rrugën që duhet ta ndjekim së bashku. Sepse punët që na presin: fitorja në zgjedhjet lokale, udhëheqja e qeverisë së ardhshme, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, kthimi i Kosovës në partner serioz ndërkombëtar, nuk mund të presin. Dhe ne duhet të jemi ata që i udhëheqin”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, për 4 vjet, PDK u ngrit, u anëtarësua në rrjetin e familjeve evropiane dhe botërore të partive liberal-demokrate, organizoi Konventën 50/50 për fuqizimin dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje, fuqizoi Rininë Demokratike të Kosovës, ku sot kryetarja e saj Arbnora është deputete.
“Ne nuk flasim vetëm për të ardhmen. Ne duam ta projektojmë të ardhmen. Në Kuvendin e Kosovës kemi qenë zëri i maturisë dhe përgjegjësisë. Kemi dialoguar kur ka pasur mundësi, dhe kemi kundërshtuar kur ka qenë e nevojshme. Por, asnjëherë nuk kemi bërë kompromis me parimet tona. Kemi rrëzuar një numër të madh ligjesh në Gjykatën Kushtetuese, që cenonin interesin publik, të punëtorëve, familjeve dhe të vetë Republikës së Kosovës. Por, suksesin më të madh e arritëm me 9 shkurt: Kthimin e pluralizmit në Kosovë, e shpëtuam Republikën nga monizmi dhe nga sundimi njëpartiak”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se kur Kosova dhe PDK-ja ecin së bashku, ka vetëm një drejtim, përpara.
“Kauza jonë është Kosova. Kauza jonë është zhvillimi. Kauza jonë është e ardhmja. Dhe ne do ta ndërtojmë atë – së bashku”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, PDK nuk garon vetëm për të rifituar komunat që i drejton aktualisht, por për t’i fituar edhe disa të tjera me radhë.
“Bedri Hamza, Agim Aliu, Shaqir Totaj, Fadil Nura, Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi, Besim Ilazi, Mehmeti Ballazhi, por edhe Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, janë shndërruar në kampionë të qeverisjes së mirë gjithandej Kosovës: Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim! Ata janë kampionë të zhvillimit, transparencës dhe rezultateve, të konfirmuara e shpërblyera për këtë gjë. Tani, unë e kuptoj që vjen një periudhë ku secili person politik, për një arsye ose tjetër, ndjen se ka ardhur koha që t’u krijojë hapësirë gjeneratës së re. Dhe, natyrisht, për ta, ne do të kemi gjithmonë vetëm mirënjohje dhe falënderim, që kanë përfaqësuar me dinjitet identitetin e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, po ashtu, zotohemi bashkë këtu se do të punojmë pa ndalur të gjithë për t’i mbështetur kandidatët dhe kandidatet tona në zgjedhjet e kësaj vjeshte, me bindjen se shërbimi i tyre për qytetarët do të jetë shembulli me të cilin do të mburremi bashkë”, ka deklaruar ndër të tjera Krasniqi.
Nënkryetari i partisë, Bedri Hamza në fjalimin e tij ka thënë se PDK nuk ka lindur në zyre, por ka lindur me përballje dhe shpirtin e rezistencës.
“Jemi forca me kontributin më të madh në lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. Jemi të gatshëm për ta udhëhequr vendin, ne jemi partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ata nuk u thyen dhe nuk u përkulen kurrë”, ka theksuar ai
Ai ka deklaruar e edhe në rezultatet e 9 shkurtit kanë pasur rezultat të mirë, pasi kanë bashkuar qytetarët me programin e tyre për një jetë më të mirë.
“PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme”, ka theksuar Hamza.