Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të një videoje nga “Sindikata e Re e KEK-ut”, ku një punëtor shihet duke dalë nga brendësia e kaldajës së Bllokut A5 në kushte të rënda pune.
“Pamjet që po qarkullojnë nga KEK-u janë fakte të gjalla për degradimin institucional të një sektori jetik siç është ai i energjisë”, ka deklaruar Bajrami në Facebook.
Ajo ka thënë se punëtori në video del “me rrobat e shqyera dhe pa asnjë pajisje mbrojtëse, në kushte tepër të rënda, duke rrezikuar jetën”. Sipas saj, pavarësisht vështirësive, “punëtori në video dhe qindra si ai punojnë pa ndalë që vendi të mos zhytet në terr, derisa tenderët e KEK-ut ndahen në WhatsApp”.
Bajrami ka akuzuar Qeverinë në detyrë dhe menaxhimin e sektorit të energjisë, duke përmendur tenderin prej 137 milionë euro për “Rehabilitim dhe Modernizim e A3”.
“Ky është KEK-u nën qeverisjen e Komitetit për Energji të Lëvizjes Vetëvendosje, me tenderë të negociuar pa garë, pa fizibilitet, pa transparencë”, ka thënë ajo.
“Tregoni a po gjeneron KEK-u energji duke sakrifikuar edhe remontet, sepse kjo ju lëverdisë tregtarëve të energjisë, pasi që ata fitojnë edhe kur shet edhe kur blen Kosova energji”, ka theksuar Bajrami e cila ka kërkuar hetim nga Prokuroria.
“Një gjë është e vërtetë se shteti nuk mbahet me propoagandë, por me djersën e këtyre punëtorëve. Prokuroria ka detyrë ta kthejë shtetin nga pengmarrësit te qytetarët. HETIM!”, ka përfunduar Bajrami.