Një pilot ukrainas u vra dhe avioni i tij luftarak F-16 u rrëzua në një sulm të madh rus me raketa dhe dronë sonte, njoftoi ushtria ukrainase. Njoftimi për shtyp thotë se kjo është humbja e tretë e tillë e një avioni luftarak F-16 në luftë.
“Piloti përdori të gjitha armët që avioni kishte në dispozicion, duke rrëzuar shtatë objektiva ajrore. Ndërsa rrëzonte të fundit, avioni i tij u dëmtua dhe filloi të humbiste lartësinë”, raportoi Forca Ajrore Ushtarake nëpërmjet aplikacionit të mesazheve Telegram.
Njoftimi thotë se piloti bëri gjithçka që mundi dhe e drejtoi aeroplanin larg vendbanimit, por nuk pati kohë të mjaftueshme për t’u hedhur nga avioni.
Ushtria raportoi se Rusia lëshoi 477 dronë dhe 60 raketa të llojeve të ndryshme në Ukrainë gjatë natës, dhe se forcat ukrainase shkatërruan 211 dronë dhe 38 raketa. Sulme ajrore u regjistruan në gjashtë lokacione.
“Ai vdiq si një hero”
Piloti që vdiq u identifikua si Kolonel Maksym Ustymenko (31), thanë Forcat Ajrore të Ukrainës. “Ai vdiq si një hero”, thanë forcat ajrore, duke shprehur ngushëllime familjes së tij.
Sulmi gjatë natës së 29 qershorit ishte një nga më të mëdhenjtë deri më sot, me një total prej 537 objektivash ajrore – duke përfshirë raketa lundrimi, balistike dhe hipersonike dhe dronë të tipit Shahed – të raportuar nga Forcat Ajrore Ukrainase dhe grupet e monitorimit.