atsh
Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një veprimtari përkujtimore në nder të shkrimtarit dhe akademikut të shquar Ismail Kadare. Të pranishëm ishin familjarë të Kadaresë, akademikë, miq e njerëz të letrave.
Në fjalën e tij, kryetari i ASHSH, akademik Skënder Gjinushi, e cilësoi gjeniun e letrave Kadare, si një kryeakademik për nga vlera dhe jehona e veprës së tij, e mirënjohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht.
“Humbja fizike e Kadaresë është padyshim humbja më e madhe letërsisë sonë. Ishte gjithashtu një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë evropiane dhe botërore, e akademizmit shqiptar dhe atij evropian”, u shpreh akad. Gjinushi në këtë veprimtari. Sipas tij, Kadareja do të lexohet e do të vlerësohet në vazhdimësi pasi mesazhet e veprës së tij, stili dhe forca e fjalës, e bëjnë veprën e tij aktuale, tërheqëse dhe emancipuese për të gjitha kohërat.
Akad. Gjinushi përmendi dhe vlerat e Kadaresë në lëmin e gjuhësisë duke thënë se, kontributi i tij si lëvrues i gjuhës është po aq i çmuar sa ai i Çabejt. “Akademia e Shkencave ka pasur privilegjin ta kishte anëtar të sajin për 35 vjet”, u shpreh Gjinushi.
Edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kishte dërguar një mesazh të veçantë i cili u përcoll nga akademik Vaso Tole.
Të tjerë personalitete të cilët ngritën lart në fjalën e tyre, figurën e Kadaresë, ishin: botuesi i tij, Bujar Hudhri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, akad. Shaban Sinani, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali etj.
Në përfundim të aktivitetit, e mori fjalën edhe bashkëshortja e Ismailit, shkrimtarja Helena Kadare.
“Natyrisht kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë unë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve dhe vlerësimit që i bëjnë atij dhe veprës së tij letrare. Ismail Kadare është një shkrimtar shqiptar që e ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që do të thotë se ai përshkroi në veprën e tij fatin e shqiptarit dhe Shqipërisë në tërë rrjedhën e historisë së saj”, tha Helena Kadare.