“Sot kemi numër të respektuar të gazetarëve sportivë dhe çmojmë faktin që shumë media i kushtojnë rëndësi të madhe sportit dhe gazetarisë sportive. Me këtë rast, duam të shfrytëzojmë rastin që të gjithë gazetarëve sportivë, kameramanëve sportivë e fotoreporterëve, t’i urojmë Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive. Përkushtimi, puna e palodhshme dhe kontributi juaj i çmuar që po jepni, bën që të ndihemi krenarë”, thuhet në komunikatën e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës.

Tutje në mesazh theksohet se ata janë të vetëdijshëm për sfidat që i presin.

“Jemi të bindur që krahas shumë kolegëve sportivë anembanë botës, edhe ne të vazhdojmë të kryejmë misionin tonë të shenjtë në promovimin e vlerave tona të larta sportive që kemi”, thuhet tutje në komunikatë.

E për këtë ditë Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes një mesazhi ka uruar gazetarët sportivë të Kosovës.

Ai në mesazhin e tij ka thënë se gazetaria sportive nuk është vetëm informim, por edhe përgjegjësi, përkushtim ndaj të vërtetës dhe pasqyrim objektiv i asaj që ndodh brenda dhe jashtë fushës së gjelbër.

“Si president i FFK-së, gjithmonë kam qenë dhe do të jem i hapur për bashkëpunim me gazetarët që e ushtrojnë këtë profesion me ndershmëri, etikë dhe dashuri për futbollin dhe sportin në përgjithësi”, ka shkruar ndër të tjer Ademi në Facebook.