Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim dy deputetë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers dhe Paul Foster, me të cilët diskutoi për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme strategjike.
Sipas njoftimit nga ekzekutivi, në fokus të takimit ishin marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri Kurti veçoi pjesëmarrjen aktive të Kosovës në ushtrimet ndërkombëtare Defender Europe 2025, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, duke theksuar se në katër vitet e fundit është shënuar një rritje prej 123% të numrit të ushtarëve, krahas investimeve në armatim.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të bashkëpunimit në industrinë ushtarake si një fushë e re me potencial për partneritet afatgjatë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në takim u diskutua edhe për sektorët strategjikë të ekonomisë, me theks të veçantë në projektet hekurudhore dhe teknologjinë, si fusha që ofrojnë mundësi të mëdha për investime dhe bashkëpunim bilateral.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte Procesi i Berlinit, me samitin e radhës që do të mbahet në Londër, si dhe domosdoshmëria e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO, që Kurti e cilësoi si hap kyç për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Deputetët britanikë vlerësuan progresin e Kosovës dhe ritheksuan përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit demokratik.
Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe gjithëpartiake të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.