Në vazhdën e takimeve me krerët e partive politike për ngërçin politik pas 41 dështimeve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot është takuar me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha.
Takimi është zhvilluar në kuadër të konsultimeve për kapërcimin e krizës politike dhe për të gjetur konsensus për formimin e institucioneve të reja.
Ndryshe në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, Osmani, dje ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të partive politike të vendit.
Ndërkohë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka specifikuar që legjislatura e nëntë duhet të formohet brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit. Megjithatë, që nga publikimi i këtij vendimi më 26 qershor, partitë nuk kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e situatës.