Kosova e ka nisur me fitore Kampionatin Evropian për Esports në video-lojën Counter Strike 2, ndaj Republikës Çeke.
Kosova ishte e jashtëzakonshme duke dominuar në të gjitha aspektet, për të marrë një fitore komode 2:0 në mape.
Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Kosova e nisi me fitore në mapin e tyre “De_Mirage” me rezultat 13:5, ku më i miri ishte Dionis Budeci, përndryshe i njohur si “Sinnopsyy” me plot 23 eliminime, ndihmuar nga Genc Kolgeci “gxx-” me 14 eliminime.
Ndërkohë, në mapin e dytë “De_Inferno” që ishte zgjedhur nga çekët, edhe pse pritej që të ishte më e barabartë, Kosova prapë dëshmoi se është në nivel tjetër me një fitore të thellë 13:2.
Në këtë map, Sener Mahmuti “Sener1” ishte i pandalshëm me 21 eliminime, ndihmuar nga Flatron Halimi “Juanflatroo” me 17 sosh.
Kosova kështu e nis me fitore në grupin A, ndërsa nesër me fillim nga ora 17:30 do të ketë një sfidë shumë të vështirë ndaj Danimarkës.