Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani në Uashington në Fumin për Paqen dhe Stabilitetin, derisa foli për rëndësinë e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara në Evropë, tha se në momentet më të errëta, më të rënda të historisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara u ngritën në këmbë e qëndruan krah popullit të Kosovës dhe thanë qartësisht se gjenocidi nuk do të lejohet më në dheun evropian.
Osmani tha se ishte presidenti amerikan Donald Trump që e ka parandaluar përshkallëzimin e situatës në Kosovë, në kohën kur Serbia kishte provuar ta bënte këtë në kufirin me Kosovën.
“Administrata amerikane, siç e thatë ju ka qenë shumë e zëshme, dhe siç e tha edhe presidenti Trump, ai ka parandaluar një përshkallëzim të situatës çfarë ka provuar të bëjë në kufirin me Kosovën, pra ka qenë roli i tij personal në parandalim të kësaj. E ky është lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes, sepse paqja siç e dimë të gjithë nga lufta në Ukrainë nuk mund të merret si e mirëqenë. Është një diçka që duhet vazhdimisht të mbrohet, vazhdimisht të ushqehet e roli i SHBA-ve është i pashmangshëm, i pazëvendësueshëm. Përkundër faktit që duam të jemi anëtarë të BE-së, historia jonë tregon se vetëm në një moment kur ka lidership amerikan aty arrihet paqja”, tha Osmani.
Presidentja nga Shtete e Bashkuara ka thënë se sa më shumë që mbyllen sytë, errësira përhapet deri në pragun e Evropës. Kështu tha ajo, kur foli për liderin e sotëm të shtetit serb, që tha se dikur ishte shef i propagandës në vitet e ’90.
“Lideri serb i sotëm ka qenë shef i propagandës në vitet e ‘90 kanë të njëjtën ideologji edhe sot. As Putini nuk ka ndryshuar as ata që i bëjnë jehonë veprimeve të tij në rajonin tonë. Serbia pajtohet edhe me Moskën e Teheranin bile, aq më shumë që mbyllim sytë, errësira përhapet deri në pragun e Evropës. Duhet të jemi vigjilent kundër këtyre rreziqeve, sepse e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, por edhe e Kontinentin Evropian do të karakterizohet nga zgjedhjet e guximshme që bëjmë sot. E këto zgjedhje nuk mund të bëhen duke injoruar të vërtetën në terren. Ato vendime kërkojnë së pari lidershipin amerikan”, tha Osmani në fjalimin e saj në Hudson Institute.
Ajo, tha se rajoni ballafaqohet me paqe të brishtë.
“Rajoni ende ballafaqohet me paqe të brishtë, demokracia ynë është e fortë, por që testohet çdo ditë dhe aspiratat tona për NATO e BE mbesin punë të papërfunduara e na duhet lidershipi amerikan, jo vetëm si garantues i paqes dhe shtytësi i vetëm i progresit. Kosova mund të jetë e vogël, por vendosmëria jonë për vlerat tona dhe ato euroatlantike është e madhe. Jemi të bindur se prezenca amerikane në Evropë është vitale, sepse sa më e pranishme të jetë Amerika aq më e fuqishme bëhet demokracia jonë.
“E kjo trashëgimi nuk është vetëm e kaluara jonë, e përkufizon të tashmen dhe e formëson të ardhmen. Evropa është në një pikë tjetër kthese. Paqja, demokracia dhe vetë koncepti i lirisë po testohen. Nga Ukraina deri në Ballkanin Perëndimor e shohim një ngritje të rrezikshme të retorikës luftënxitëse dhe pastaj dezinformatave e jo stabilitetit. Shohim aktor që duan të çmontojnë rendin ndërkombëtar juridik që SHBA e kishte udhëhequr në ndërtimin e tyre pas luftës së dytë botërore”, tha Osmani në fjalimin e saj në Hudson Institute .
Presidentja e shtetit, tutje tha se, shohin përpjekje që duan të destabilizojnë gjithë rajonin për të dobësuar institucionet pro-perëndimore dhe të përçajnë komunitetet.
“Këto kërcënime nuk janë abstrakte, janë reale e të koordinuara, dhe prapa tyre qëndron i njëjti libër që vjen nga Moska e duplikohet nga Beogradi. Në Kosovë këtë kërcënim e marrim shumë seriozisht. Kemi miratuar masa konkrete për të përforcuar institucionet e sigurisë e mbrojtjes”, vijoi tutje fjalimin e saj Osmani.
Tutje, presidentja e Kosovës tha se lidershipi amerikan ka rëndësi jo vetëm si forcë, por si forcë e qartësisë morale, stabilitetit, forcë që i bën aleatët bashkë dhe i përkujton botës se çfarë është të jesh në anën e duhur të historisë.
“Prezenca amerikane në Evropë jo vetëm që është strategjike, por është gurthemel. Kur ka lidership amerikan, gjithmonë ka më shumë paqe, stabilitet, liri dhe më shumë mundësi pastaj që njerëzit të zhvillohen. Çdo aleancë që përforcohet e çdo tendencë keqdashëse që luftohet në rajonin tonë jo vetëm që është fitore për ne, por edhe për SHBA”, tha tutje presidentja.
Osmani shtori se kur Amerika investon në paqen e rajonit, ajo parandalon kriza shumë më të kushtueshme nesër. “Ndërton partner besimplotë e zgjeron hapësirën demokratike dhe përforcon vetë rendin global. Mu për këtë prezenca amerikane jo vetëm që mirëpritet, por është qenësore, dhe në këtë kuptim mirëpresim insistimin e administratës amerikane të sotme që Evropa të marr përsipër përpjekjet e veta të mbrojtjes, sepse ka të bëjë me mbrojtjen e lirisë sonë, sigurisë së të ardhmes të fëmijëve tanë. E për këtë, Kosova jo vetëm që kërkon përkrahje, ne dalim në ballë kur aleatët na thërrasim”, deklaroi Osmani.