Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbërriti sot në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Romë, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, në mbështetje të Ukrainës dhe rindërtimit të saj pas pasojave shkatërruese të luftës.

 

Kryeministri Rama u prit në “Ukraine Recovery Conference 2025”, nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni e cila do të hapë edhe konferencën.

Në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës pritet që të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësuesve të lartë të BE-së, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, për të koordinuar ndihmën konkrete dhe investimet strategjike në sektorët kyç të Ukrainës.

Gjatë konferencës do të mbahen fjalime nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministri polak Donald Tusk dhe Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska.

Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës është ngjarja kryesore ndërkombëtare mbi rindërtimin e Ukrainës. Edicioni i Romës vjen pas Konferencave të Luganos (2022), Londrës (2023) dhe Berlinit (2024). Qëllimi i konferencës është të vazhdojë mobilizimin e qeverive, sektorit privat, institucioneve financiare ndërkombëtare, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës.

Në konferencë pritet të marrin pjesë më shumë se 3,500 pjesëmarrës, rreth njëqind delegacione zyrtare dhe 40 Organizata Ndërkombëtare, 2 mijë kompani (nga të cilat rreth 500 janë italiane), qindra përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile.