Ka mbërritur në Kosovë, në vizitën e tij të parë, Ndihmës Sekretari i Shtetit, Brendan Hanrahan. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Hanrahan është pritur nga e ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati.
“Këtë mbrëmje, e ngarkuara me punë në detyrë Anu Prattipati pati kënaqësinë të mirëpriste zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, Brendan Hanrahan, në vizitën e tij të parë në Kosovë. Ne presim me padurim një fundjavë produktive me takime dhe vizita për të përforcuar prioritetet e SHBA-së për stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik”, shkruan në njoftimin që e ka bërë ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Ndërkohë pritet që me zyrtarin e lartë të Shteteve të Bashkuara do të takohet edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili do të jetë në darkën e punës të organizuar nga Prattipati. Pritet që gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Hanrahan të takohet edhe me liderë politikë, derisa ditë më parë kishte zhvilluar takim me presidenten e shtetit Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara.