Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut 2025, ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi kryediplomatësh fqinj u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me rëndësi strategjike, përfshirë infrastrukturën ndërkufitare dhe avancimin e projekteve të përbashkëta.
“Palët theksuan domosdoshmërinë e një angazhimi më të madh institucional për përshpejtimin e zbatimit të këtyre projekteve”, thuhet në njoftimin e MJD-së.
Po ashtu, të dy homologët, siç bëhet e ditur, vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të organizatave rajonale, si dhe ri-konfirmuan përkushtimin e dy vendeve ndaj integrimit në BE.