“Në orën 11:30, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Prokurorinë Speciale, vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme. E dorëzojmë këtë vendim si dëshmi në 17 kallëzimet penale që i kemi ngritur paraprakisht më datën 8 maj 2025,” thuhet në njoftim.

Ky vendim i Gjykatës Supreme vjen pasi ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin ishin pezulluar për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.

Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.

“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, tha Supremja.

Ajo tha se për të ishte “i pakontestueshëm fakti” se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.

Kurse Qeveria në detyrë e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2025 që rregullon përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve dhe softuerëve për fiskalizim.

Në një reagim, Qeveria në detyrë ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj dhe me interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore.

Sipas saj, arsyetimi i Gjykatës, se udhëzimi është miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë pa kompetencë – nuk qëndron. Qeveria thekson se neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk ndalon nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë, por përjashton vetëm veprimet që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, projektligje të reja, strategji dhe dokumente konceptuale.

Për më tepër, ajo sqaron se procedura për hartimin e këtij udhëzimi kishte nisur në nëntor të vitit 2024, kur ajo gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, çka i jep aktit legjitimitet të plotë procedural dhe substancial.

“Vendimi i Gjykatës është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, sepse njëkohësisht njeh ekzistencën e Qeverisë në detyrë, por mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, Qeveria në detyrë i është përgjigjur pretendimit për konflikt funksional mes ministrit në detyrë dhe statusit të deputetit, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO124/25, sipas të cilit Kuvendi i ri ende nuk është funksional për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve. Sipas këtij interpretimi, nuk ekziston ende konflikt funksional, pasi përbërja e re e Kuvendit nuk ka hyrë në funksion kushtetues.

Në fund të reagimit, Qeveria në detyrë riafirmon përkushtimin për respektimin e rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve të shtetit.

“Vendimet e gjykatave duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të mbështeten në standarde të qarta juridike, jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht”, përfundon reagimi, duke paralajmëruar se do të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike për rikthimin e ligjshmërisë.