Sot, Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një reagim në Facebook, shkruan se edhe ky vendim, për fat të keq, përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta.
Në këtë reagim thuhet se “çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”.
Tutje theksohet se historia e luftës për liri nuk mund të rishkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, pasi ajo është shkruar me sakrificën e popullit të Kosovës.
“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht! “Dielli do të lind përsëri – për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”, shkruan në Facebook Krasniqi.