(E plotësuar) Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim togerit të Policisë, Bojan Jevtiq, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtje pa leje.
Prokuroria Speciale paraqit sot kërkesën për paraburgim, duke përmendur se Jevtiq ishte i rekrutuar nga BIA serbe dhe se i njëjti dërgonte informacione konfidenciale te shërbimi sekret serb.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit B.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Spiunazhi dhe Armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftim.
Gjykata po ashtu ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.