Universiteti i Prishtinës ka reaguar pas pretendimeve të ngritura nga kandidatët për studentë në Fakultetin e Mjekësisë, lidhur me gabime të mundshme teknike në testin pranues, konkretisht në pyetje nga lëndët e kimisë dhe biologjisë.
Siç thuhet në komunikaten zyrtare të UP-së, rektori i Universitetit, prof.Arben Hajrullahu, është takuar sot me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, prof.Sefedin Muçaj, si dhe me Komisionin e Ankesave të këtij fakulteti, me qëllim të “sqarimit të pretendimeve për gabime në testin pranues të fakultetit me më së shumti interesim dhe kandidatë për studentë”.
“Rektori Hajrullahu gjatë takimit, në konsultim me dekanin dhe Komisionin për Ankesa të Fakultetit të Mjekësisë, ka vendosur ta krijojë një komision të pavarur që do të hetojë se a ka pasur gabime në testin e pranimit në këtë fakultet”, thuhet në njoftim.
Ky komision, sipas UP-së, do të përbëhet nga “ekspertë të fushave për të cilat ka ankesa se kishte gabime në test, kimistë dhe biologë që nuk kanë qenë pjesë e hartimit të pyetjeve për test dhe as në komisionin e ankesave”.
Qëllimi i këtij komisioni është të “hartojë një raport me gjetje në lidhje me pretendimet për gabime në test”, për të cilin, Universiteti njofton se do të bëhet transparencë “me kohë”.
Në fund të njoftimit, UP thekson se është “universiteti më i vjetër, më i madh dhe më i suksesshëm i Kosovës dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të viseve ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në botë”.