Personat me asistencë sociale në fillim të muajit kanë përfituar nga qeveria dyfishin e mjeteve që paguhen në muaj. 100 euro shtesë pritet t’i përfitojnë pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike. Kjo me qëllim të zbutjes së inflacionit. Por ekonomistët thonë se kjo pako duhet të ishte më gjithëpërfshirëse.

Safet Gërxhaliu ka thënë se duhet një dialog i mirëfilltë publiko privat.

“Të papunët nuk janë përshirë dhe nëse buxhetin e konsumimit të shtetit e bënë sektori privat, pse të mos jenë në këtë pako edhe punëtorët e këtij sektori”, tha ai.

Kurse ekonomisti Erton Bega tha se në dy elemente Pakoja për Zbutjen e Inflacionit është e duhura.

“Pakoja për zbutjen e inflacionit, të cilën e ka prezantuar qeveria, në dy elemente është ajo e duhura, ajo e cila lidhet me subvencionimin e energjisë elektrike dhe ajo e cila lidhet me pranimit e inflacionit në punë publike. Përderisa masat e tjera vazhdojnë të jenë populliste””, tha ai.

Bega konsideron se buxheti nuk duhet ndarë për të gjithë njësoj.

“Shpërndarje e buxhetit në mënyrë paushall, qoftë në skema sociale apo edhe sektorin publik ku të gjithë trajtohen në mënyrë të njëtrajtshme me nga 50 euro shtesë, duke mos marrë parasysh indeksin e saktë të kostos së jetesës dhe si e tillë nuk do të shuajë pakënaqësitë sociale të cilat kanë lindur si rezultat i krizës ekonomike e që kanë ardhur si pasojë e inflacionit në mbarë globin”, tha ai.

Kjo pako e qeverisë, për sektorin privat ka premtuar se do ta ndihmojë vetëm në qoftë se bëjnë punësime të reja ku do të subvencionojë 50% të pagës për tre muaj.

Pakoja parasheh edhe subvencionim të faturës së energjisë për ata që kursejnë. Kjo pako nuk ka filluar të zbatohet ende. Kosovën e ka përfshirë shkallë e lartë e inflacionit, deri në 20% si pasojë e krizës globale.