Dogana e Kosovës ka përmbyllur javën e tretë të korrikut me një arritje të rëndësishme fiskale: mbi 1 miliard euro të hyra të mbledhura, që përfaqëson një rritje prej 9.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin mbledhur 912 milionë euro.

 

Dogana thotë se ky rezultat jo vetëm që tejkalon shifrat e vitit të kaluar, por edhe kapërcen ndjeshëm planifikimin vjetor, duke dëshmuar një performancë të qëndrueshme dhe efikase në mbledhjen e të hyrave doganore.

“Përkundër uljes së normave tatimore pas pandemisë, Dogana ka arritur të ruajë dhe përshpejtojë ritmin e mbledhjes së të hyrave, duke tejkaluar për më shumë se dyfish rritjen ekonomike të përgjithshme të vendit. Kjo tregon për ndërhyrje të qëllimshme dhe efektive kundër ekonomisë informale, që ka qenë një nga sfidat kryesore ndër vite”, thuhet në njoftim.

Përparimi në luftimin e ekonomisë joformale, sidomos në periudhën pas pandemisë, është i dukshëm. Një ndër arritjet e theksuara është forcimi i sundimit të ligjit në Mitrovicën Veriore, përfshirë pezullimin e veprimtarive të dyshuara në sektorin e derivateve.

Dogana e Kosovës  ka falënderuar në veçanti Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e zbatimit të ligjit për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e misionit të saj. Po ashtu, shpreh mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë që kontribuojnë në operacionet dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale,  një shtyllë kyçe e suksesit të arritur.

“Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e palëkundur të stafit të Doganës. Ata mbeten baza mbi të cilën ndërtohet performanca dhe besimi i publikut ndaj institucionit. Mirënjohje të veçantë u shkon edhe familjeve të punonjësve për mbështetjen e tyre të përditshme”, thuhet në njoftim .

Bazuar në trendin aktual dhe angazhimin e vazhdueshëm, Dogana e Kosovës parashikon një performancë të qëndrueshme deri në fund të vitit 2025.

Sipas Doganës, kjo do të sigurojë jo vetëm mbledhjen e qëndrueshme të të hyrave, por edhe shërbime më efikase për qytetarët dhe ekonominë e vendit.