Drizan Shala, njohës i rrethanave të sigurisë, tha se arrestimi i ish-luftëtarit të UÇK-së Lulzim Halili nga Serbia nuk është rastësi, por është pjesë e një loje të rrezikshme politike.
“Serbia po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga arrestimi i Igor Popoviqit në Kosovë dhe po rikthen narrativën e vjetër të UÇK-së për të ndezur tensione ndëretnike, për të ndikuar në Gjykatën Speciale dhe për të mobilizuar serbët për zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar ai në “Facebook’.
Sipas tij, ky është një operacion klasik hibrid – me arrestime, provokime dhe propagandë.
“Kosova nuk duhet të bie në këtë kurth. Ne duhet të jemi të qartë: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe mbrojtëse. Serbia nuk mund të barazohet me Kosovën në këtë proces. Asnjë reagim emocional – vetëm maturi strategjike dhe përgjigje institucionale”, tha ai.
Duke shtuar se arrestimet e fundit janë reflektim i një doktrine të re të Serbisë që kombinon provokime të qëllimshme ndëretnike dhe propagandë të koordinuar shtetërore për të zhvendosur vëmendjen nga ekspozimi i rrjeteve të saj operative në Kosovë.
“Sepse : 6 ( AKI ) me 0 ( BIA ). Po shfaqet një paradoks i rrezikshëm për sigurinë tonë kombëtare: Ne i ekspozojmë publikisht fytyrat, emrat dhe mbiemrat e operatorëve tanë të sigurisë – në media, portale e rrjete sociale – duke i bërë ata të cenueshëm për strukturat kundërshtare. Ndërkohë, Serbia i mbron me fanatizëm identitetet e operativëve të saj, duke ruajtur konspiracionin dhe mbrojtjen e tyre institucionale. Kjo praktikë duhet të marrë fund – sepse mbrojtja e personelit është mbrojtje e shtetit”, tha ai.