Ministria e Drejtësisë ka njoftuar të enjten, se deri më tani janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen juridike në procesin gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
“Ministria e Drejtësisë ka njoftuar opinionin publik se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, e deri më datë 24 korrik 2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me obligimet ligjore dhe marrëveshjet e parashikuara për përkrahjen e mbrojtjes juridike”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit zyrtar, në total janë paguar 32,944,287.77 euro, ndërsa shuma e shpenzuar për mbrojtjen e ish presidentit Hashim Thaçi ka arritur në 5,353,301.02 euro.
“Pagesat janë kryer në mënyrë të rregullt dhe transparente, dhe do të vazhdojnë të realizohen në përputhje me dispozitat ligjore dhe marrëveshjet në fuqi”:, thuhet në njoftimin e MM.
Sipas këtij dikasteri, ekziston përkushtim për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar, duke ofruar përkrahje të vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.
Kujtojmë se në vitin 2020, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj disa prej krerëve më të lartë të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Nga viti 2020 ata po përballen me akuza për krime lufte.
Të akuzuarit kanë mohuar çdo përfshirje në krime dhe janë deklaruar të pafajshëm, duke e konsideruar këtë proces si politik dhe të njëanshëm. Ata kanë theksuar se qëllimi i vetëm i luftës së UÇK-së ka qenë çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe se akuzat për krime lufte janë të pabazuara.
Gjykimi i tyre nisi më 3 prill 2023 dhe është një ndër proceset më komplekse e drejtësisë ndërkombëtare në lidhje me konfliktin në Kosovë. Procesi përfshin qindra dëshmitarë, dokumente të shumta dhe pritet të zgjasë edhe disa muaj.