Pas homazheve në nderim të Afrim Bunjakut, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren në detyrë dhe ministren në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrin në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bënë homazheve te varri i Heroit të Kosovës, Enver Zymeri në Vushtrri për të vazhduar më pas edhe te lapidari i ngritur në vendin e rënies së tij në Varagë të Zubin Potokut.
“Jemi këtu bashkë me kolegë nga Qeveria dhe udhëheqës të Policisë së Kosovës, te vendi i rënies heroike të Enver Zymerit i cili u vra në Varagë të Zubin Potokut këtu e 14 vjet më parë, pas homazheve te varri i tij në Vushtrri erdhëm edhe këtu që të nderojmë jetën, veprën dhe sakrificën e tij”, u shpreh ai.
14 vjet pas vrasjes së Enver Zymerit dhe gati dy vjet pas vrasjes së Afrim Bunjakut, të këtyre dy heronjve të Kosovës në veriun e Kosovës, shtoi më tej kryeministri Kurti, të gjithë kriminelët që dikur sundonin dhe përfitonin, ose kanë ikur në Serbi ose janë në burg në Kosovë.
“Policia e Kosovës edhe me gjeneratat e reja të kadetëve të saj po shërben tërë kohën gjithandej pa dallim dhe jemi krenarë me këtë polici përderisa jemi të pikëlluar e me dhembje, për ata më të mirët, të cilët dhanë jetën e nuk janë në mesin tonë vetëm fizikisht. Enver Zymeri, Afrim Bunjaku dhe policë të tjerë janë shembull për neve që i shërbejmë Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë sakrifica e tyre, flijimi i tyre, përkthehet në vendosmëri dhe përgjegjësi për të gjithë dhe secilin prej nesh”, u shpreh ai.