Në homazhet shtetërore mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka theksuar se Policia e Kosovës është forcë multietnike që u sulmua shpesh, por gjithnjë doli fitimtare.

Kurti, për rënien heroike të Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, ka deklaruar se dhanë jetën duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të vendit.

“Bëmë nderime këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë 24 gjithsej ne Kosovën e pasluftës, duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 e deri së fundmi te Muhamet Lika në vitin 2025. Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë Enver Zymberin dhe po ashtu Afrim Bunjakun që ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës. Dita Memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymberit në vitin 2011, më 26 korrik, me ç’rast kemi dhimbje e pikëllim, kemi shumë mall por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari, sepse Policia e Kosovës është një forcë prej 10 mijë pjesëtarëve të cilët i dalin zot Republikës sonë”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka theksuar se Policia e Kosovës është një forcë multientike e cila u sulmua shpesh mirëpo gjithnjë doli fitimtare. Një ndër sulmet strukturore që ka përjetuar, siç tha kryeministri Kurti, ka qenë në nëntor të vitit 2022 kur 541 policë të uniformuar nga radhët komunitetit serb kolektivisht dhanë dorëheqje.

“Por as kjo nuk arriti që ta dëmtojë policinë e Kosovës meqenëse në vazhdimësi kemi kadetët e rinj nga gjenerata në gjeneratë të cilët i shtojnë radhët e policisë sonë ku vetëm nga komuniteti serb, që nga dorëheqjet e tyre, tashmë kemi rreth 200 pjesëtarë të cilët i janë bashkëngjitur Policisë së Kosovës dhe krah për krah më shqiptarët e uniformuar dhe të tjerët i shërbejnë vendit tonë dhe qytetarëve tanë “, ka deklaruar ai.

Gjatë ditës, do të mbahen homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë në familjen e tij. Po ashtu, janë paraparë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij.

Ceremonitë përkujtimore përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.

Shënohet Dita memoriale e policëve të rënë në detyrë

Nën përkujdesjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, sot do të mbahen një sërë aktivitetesh me rastin e Ditës memoriale e punonjësve policorë të rënë në krye të detyrës.

Më 11 gusht të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte propozuar dhe miratuar që 26 korriku të shënohet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës.

Kjo ditë ishte shënuar për herë të parë në korrik të vitit 2022 dhe përkon me rënien heroike të Enver Zymerit 14 vjet më parë.