“Kjo është një krizë dhe jo vetëm politike. Besoj se ky është një moment shumë serioz për Kosovën”, tha ambasadori Hargreaves në një intervistë për radion lokale Gorazhdevc në gjuhën serbe.

Ai më pas theksoi nevojën urgjente për formimin e një qeverie funksionale, e cila do të jetë në gjendje të marrë vendime kyçe për të ardhmen e Kosovës.

“Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri dhe parlament të formuar siç duhet, të aftë për të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me pozitën e Kosovës në botë dhe për fondet që aktualisht ndodhen në parlament, duke pritur të miratohen. Këto fonde nuk mund të përdoren për momentin dhe Kosova rrezikon t’i humbasë ato”, shtoi ambasadori.

Duke iu referuar rolit të Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e bllokadës politike, ambasadori shprehu optimizëm të moderuar, por gjithashtu theksoi faktin se nevojitet vullnet politik për dalje nga ngërçi.

“Mendoj se jemi ende në fazën e shpresës se Gjykata Kushtetuese do ta zgjidhë këtë çështje. Por në fund të fundit, kjo duhet të zgjidhet politikisht – me kompromis midis partive politike. Ky është thelbi i problemit. Kushtetuta dhe ligji mund të ofrojnë një kornizë, por u takon palëve të bien dakord se si të vazhdojnë”, tha ambasadori Hargreaves.

Lidhur me zgjedhjet lokale të planifikuara për 12 tetor, Hargreaves tha se ato përfaqësojnë një shans për të gjitha komunitetet, veçanërisht atë serb, që të jenë politikisht aktive dhe të përfaqësohet përsëri.