RTK ka njoftuar me kohë për situatën dhe ka dërguar kërkesa zyrtare tek mekanizmat  institucional të Republikës së Kosovës, mirëpo deri në këtë moment nuk ka pranuar përgjigje zyrtare dhe as ndonjë informacion për rrjedhën e mëtejme.

Menaxhmenti ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin e institucionit, përmes optimizimit të brendshëm dhe menaxhimit racional të resurseve, por kriza aktuale nuk mund të tejkalohet pa mbështetje të menjëhershme.

RTK është një shtyllë thelbësore e informimit publik dhe një nga institucionet me mision kushtetues në shoqërinë demokratike të Kosovës. Çdo vonesë e mëtejshme rrezikon drejtpërdrejt jo vetëm funksionimin institucional, por edhe besimin qytetar në shërbimin publik.

Në mungesë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, RTK apelon për reagim imediat nga Qeveria, si dhe kërkon që kjo çështje të trajtohet me prioritet të lartë institucional.