Shqipëria iu është bashkëngjit Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Kanadasë dhe 10 vendeve të tjera në deklaratën e përbashkët për dënimin e numrit në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane.

 

Në deklaratën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, 14 vendet firmëtare, përfshi edhe Shqipërinë i konsiderojnë sulmet iraniane si të papranueshme dhe shkelje të sovranitetit.

Vendet firmëtare, sikurse nënvizohet në deklaratën e përbashkët, i kanë bërë thirrje autoriteteve iraniane që t’u japin fund menjëherë aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret e tyre.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Suedia dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane në territoret tona përkatëse.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe ngacmuar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare për të synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Kjo është e papranueshme”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se tre vite më parë Shqipëria ngriu marrëdhëniet diplomatike me Iranin pasi e akuzoi se fshihej pas sulmit kibernetik që përfshiu shërbimet publike online në vend. Shqipëria i dërgoi notë verbale ambasadës së Iranit, ndërsa kryeministri Edi Rama i kërkoi ambasadës së Iranit largimin brenda 24 orëve nga Shqipëria.