Nezir Kraki, deputet i Vetëvendosjes tha se duhet të ketë dialog, bisedime e kontakte normale e, sipas tij, distanca mes palëve nuk i ndihmon zhvillimit e konsolidimit.

Sipas tij, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është diçka procedurale, e votimi, vlerësoi ai, do të duhej të ishte simbolik e ceremonial e jo të bëhej pengesë e kalimit në fazën tjetër në krijimin e institucioneve.

“Situata mundet të ndryshojë, votat mund të ndryshojnë, edhe përqindjet. Prandaj, sipas meje nuk e shoh të udhës që të bllokohet i gjithë procesi, të bllokohet Kosova, me pasoja që mund të jenë edhe më të rënda, ditëve ose javëve që vijnë. Nuk e shoh të udhës që kjo bllokadë të realizohet dhe të shkojë kaq gjatë mbi bazën e një apo dy pretendimeve që nuk kanë bazë”, thëne në këtë tryezë Kraki që u bë deputet si pjesë e  koalicionit Guxo-LVV.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka falënderuar organizatorët për mundësinë  fjalës, që, sipas saj, iu mohua prej muajsh në Kuvend.

Ajo tha se shteti nuk është në pauzë, por, sipas saj, ka përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues.

“Më lejoni të shprehë mospajtimin tim me disa gjëra që u thanë këtu. Shteti nuk është në pauzë. Çfarë po shohim tash e disa muaj është grusht-shtet, është përpjekje për të përmbysur në plotëni rendin kushtetues në Republikën e Kosovës. Sot, derisa ne po diskutojmë këtu, përkundër vendimit të qartë të Gjykatës Supreme, qeveria që ka uzurpuar zyrat, po merr vendimet, po emëron borde, bartës të institucioneve, nuk është në pauzë, por kemi një përpjekje të qartë për të përmbysur rendin kushtetues”, tha ajo.

Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se i duhet ta rëndoj dozën, sepse, sipas saj, nuk bëhet fjalë për grusht-shtet, por për vetë grusht-shtet.

“Pajtohem plotësisht me parafolësen, bile më duhet ta rëndoj dozën, nuk mendoj që është vetëm një grusht-shtet, por edhe një shkallë më lartë, sepse është vetë grusht-shtet, sepse grusht-shtetin po e bën partia që është në detyrë. Sepse, partia që është në pushtet nuk po pajtohet me fuqinë që i kanë dhënë në zgjedhjet e fundit e po dëshiron të jetë në detyrë e t’i ketë kompetencat e 14 shkurtit 2021”, tha Bajrami në këtë tryezë.

Ndërkaq, Lahi Brahimaj, nga Aleanca për Armërinë e Kosovës tha se partia ku ai bën pjesë që nga dita e parë kanë dhënë propozime për dalje nga situata, por, sipas tij, ka qenë Vetëvendosje që nuk e ka dashur zgjidhjen.

“Kemi propozuar për dalje nga situata dy emra, Shqipe Selimi e Saranda Bogujevci, e Haradinaj duke parë situatën e ka propozuar ish-kryeparlamentarin Konjufca. Interesi i LVV-së as nuk ka qenë për të formuar parlamentin, sepse prej 54 seancave janë 50 seanca që nuk kanë qenë të kompletuar deputetët e LVV-së. Pse po duan kështu të bëjnë po dihet haptas, kushdo që ka guxuar t’i dalë kundër këtij shteti kanë marrë masa ndëshkuese”, tha ai.

Ndërkohë, deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi, tha se është e vërtetë që Kosova ka nevojë për debat konstruktiv. Sipas saj, shqetësimet e tyre janë edhe shqetësime të secilit qytetarë të Republikës.

“Atë që e tha Bajrami vetë grusht-shtet unë po ia shtoj një pjesë të mendimit tim. Kur dikush nuk pajtohet me dikë, rreziku është i papajtueshmërisë me vetveten. Dhe, ne gjithmonë duhet të ndalemi para se t’i drejtojmë gishtin dikujt. Në këtë rast partisë së parë i drejtohemi se kemi tepër nevojë të ndalemi e t’i drejtojmë gishtin vetit, në kuptimin e kërkesës së përgjegjësisë dhe besimit të qytetarëve që ta përkthejmë në mundësi institucionale e zhvillim ekonomik”, deklaroi ajo.

Ehat Miftaraj Drejtor Ekzekutiv në IKD tha se përveç që është Kuvendi në pauzë, vendi po ballafaqohet edhe me një kaos institucional.