Njëra nga urat që po ndërtohen mbi lumin Ibër është drejt përfundimit. Gjatë fundjavës janë vendosur pllakat mbi të, ndërsa pritet që shumë shpejt të jetë funksionale për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka publikuar pamje nga punimet në terren.
“Janë vendosur trarët kryesorë në urën mbi lumin Ibër. Vetëm një muaj e dy ditë kanë kaluar prej nisjes së punimeve. Janë betonuar pilotat, janë përgatitur, armuar dhe betonuar themelet dhe shtyllat e urës. Dje dhe sot janë vendosur 18 trarë të përgatitur më parë në një punishte në Bair të Mitrovicës”, ka deklaruar Durmishi.
Ai ka shtuar se tashmë ka mbetur vetëm betonimi i pllakës dhe shtrimi i shtresës së asfaltit.
“Në shtator, ura do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve”, ka theksuar ai.