Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim në Facebook, thotë se kjo ministri ka realizuar dhe ka në proces dhjetëra projekte infrastrukturore në kryeqytet, me qëllim të forcimit të kapaciteteve kulturore, sportive dhe historike të Prishtinës.
Në kuadër të investimeve kapitale të përfunduara dhe atyre në realizim, MKRS ka ndarë shuma të konsiderueshme për disa prej objekteve më të rëndësishme, përfshirë:
Palestra e sportit në Pallatin e Rinisë – 200 mijë euro
Stadiumi “Fadil Vokrri” – 1.3 milion euro
Teatri Kombëtar i Kosovës – 7 milionë euro
Muzeu Kombëtar i Kosovës – 2.9 milionë euro
Galeria Kombëtare e Kosovës – 1.5 milion euro
Ndërtesa e Arkivit të Kosovës – mbi 2 milionë euro në disa faza
Stadiumi ndihmës në Bërnicë – 1.6 milion euro
Në fushën e trashëgimisë kulturore janë restauruar edhe shtëpitë tradicionale të familjeve Safqi, Sylejmani e Hynilerët, ndërkohë që janë përkrahur me fonde edhe objekte si Rezidenca Ibrahim Rugova, Lapidari i dëshmorit Basri Canolli në Marec, dhe xhamia e “Sudi Efendisë”.
Projekte në zhvillim dhe në fazë prokurimi
Ministria aktualisht, thuhet tutje në këtë njpoftim, është në fazën e projektimit apo prokurimit për disa objekte të mëdha, si:
Biblioteka e re Kombëtare – 22 milionë euro
Muzeu i Artit Bashkëkohor dhe Teatri i ri (ish-Rilindja) – 6 milionë euro
Qendra Multikulturore (salla koncertale) – 10 milionë euro
Teatri i Operës dhe Baletit – 2.4 milionë euro (projektim)
Teatri ODA – 1.3 milion euro
Salla e baletit dhe ateliesë në Pallatin e Rinisë – mbi 800 mijë euro
Përgatitje për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030, Ministria është duke bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë për projekte madhore. Dy marrëveshje në përgatitje përfshijnë:
Rijetësimi i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, me Bashkimin Europian të Investimeve (EIB), deri në 50 milionë euro
Rinovimi i Qendrës së Studentëve dhe objekteve sportive në shkolla, me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), deri në 70 milionë euro.