rtsh
Holanda ka njoftuar vendimin për të blerë pajisje ushtarake amerikane me vlerë 500 milionë euro për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës në luftën ndaj Rusisë.
Holanda bëhet kështu vendi i parë i NATO-s që kontribuon në një mekanizëm të ri për të furnizuar Kievin me armë amerikane.
Ministri holandez i mbrojtjes, Ruben Brekelmans, tha në emisionin X të hënën se paketa do të përfshinte pjesë dhe raketa Patriot.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, mirëpriti njoftimin dhe tha se i kishte inkurajuar anëtarët e tjerë të aleancës të merrnin pjesë në mekanizmin e ri, të quajtur “nisma e listës së kërkesave të NATO-s për Ukrainën me përparësi”.
“Kjo ka të bëjë me sigurimin e Ukrainës me pajisjet që i nevojiten urgjentisht tani për t’u mbrojtur kundër agresionit rus. Pres njoftime të mëtejshme të rëndësishme nga aleatët e tjerë së shpejti“, tha Rutte.
Mbi vendimin e Holandës, reagoi dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i cili shprehu mirënjohjen për kontributin në forcimin e mburojës ajrore të vendit të tij.
“Ukraina, dhe kështu e gjithë Evropa, do të mbrohet më mirë nga terrori rus. Jam sinqerisht mirënjohës ndaj Holandës për kontributin e saj të konsiderueshëm në forcimin e mburojës ajrore të Ukrainës”, tha ai.
Kujtojmë se muajin që lamë pas, Presidenti Donald Trump tha se SHBA-të do t’i siguronin armë Ukrainës, të paguara nga aleatët evropianë, por pa dhënë detaje se si do të funksiononte skema.